ShHB Bereqeti

Prishtinë, 01 qershor 2019

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të muajit të bekuar të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit, Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, dega në Prishtinë, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, sot shpërndau 250 pako ushqimore për familjet nevojtare.

Koordinatori i shoqatës, njëherësh edhe imami i xhamisë “Pavarësia” Nexhmi ef. Hoxha, shprehet se gjatë këtij muaji, ne si shoqatë jemi munduar që të jemi sadopak në ndihmë qytetarëve të cilët kanë nevojë.
“Ne si shoqatë gjatë këtij muaji jemi munduar që t’u jemi në ndihmë qytetarëve të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë, në mënyrë që edhe ata të kenë ushqim të mjaftueshëm në sofrat e tyre të syfyrit dhe të iftarit. Qysh prej fillimit të muajit të Ramazanit, e deri në këto ditë të fundit të këtij muaji, ne kemi shpërndarë më shumë se mbi 1500 pako ushqimore nga donatorë të ndryshëm vendorë,  por edhe donatorë të huaj, si nga Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Këtë herë ne po bëjmë shpërndarjen e 250 pakove ushqimore.
Ndihmat që sot po i shpërndajmë janë donacion nga Selim Mustafa nga Prishtina, i cili jo vetëm këtë vit, por edhe viteve të kaluara ka qenë afër qytetarëve në nevojë për festën e Bajramit.
Lusim Zotin që gjithë donatorët t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër t’i gradojë me të mirat e xhenetit”- tha imami Hoxha.