ShHB Bereqeti

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dega në Gjakovë, në bashkëpunim me Shoqatën për Krime Lufte Gjakova 98-99, kanë ndihmuar me 40 pako me produkte ushqimore dhe higjienike gratë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit të cilat marrin shërbime nga Medica Kosova.

Iniciatori i kësaj ndihmë simbolike, Abdurrahman Bejtullahu, duke parë gjendjen e rënduar të disa prej viktimave të dhunës seksuale nga lufta e fundit, në bashkëpunim me Shoqatën për Krime Lufte Gjakova 98-99 vendosën që të ndihmojnë këtë kategori të cilët në kohë pandemie po përballën me vështirësi të ndryshme.

Koordinatori i “Bereqetit” në Gjakovë, Abdurrahman Bejtullahu, shprehet se falë donatorëve po arrihet që familjeve në nevojë, por edhe kësaj kategorie t’i dilet në ndihmë, duke pasur parasysh vuajtjet dhe shqetësimet e ndryshme që ende përballen.

Edhe nga familjet përfituese shprehen tejet falënderuese për këtë iniciativë, ku sadopak po u dilet në ndihmë. “Bereqeti” mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi t’u dalë në ndihmë të gjithë familjeve në nevojë, duke i furnizuar me produkte të ndryshme, por edhe me ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive.