ShHB Bereqeti

Prishtinë, 30 dhjetor 2020

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, ka vazhduar edhe këtë të mërkurë me aktivitete humanitare për t’iu dalë në ndihmë të gjithë familjeve në nevojë gjatë stinës së dimrit.

Kësaj radhe dega e “Bereqetit” në Kamenicë me donacion nga “BG Construction” shpërndau mbi 40 pako me produkte ushqimore higjienike dhe nga 25 kilogram miell.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Komuna e Kamenicës, me ç’rast kryetari i komunës, Qëndron Kastrati u shpreh tejet falënderues për këtë iniciativë.

“Po e shfrytëzoj rastin që të falënderojë Bashkësinë Islame të Kosovës, shoqatën “Bereqeti” që qytetarëve të Kamenicës që kanë nevojë për ndihmë, iu kanë ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike, po e shfrytëzoj rastin që të falënderojë drejtorin z. Ajvazi, por edhe koordinatorin në Kamenicë z. Biçkun, duke pasur parasysh se jemi në pandemi dhe problemet e nevoja janë duke u rritë në veçanti në Komunën e Kamenicës, kështu që kjo është një ndihmë shumë e madhe këto ditë me u ndihmë familjeve në nevojë, kështu që Zoti ju shpërbleftë të gjithëve”, u shpreh kryetari Qëndron Kastrati.

Koordinatori i “Bereqetit” në Kamenicë, Xhemush Biçku u shpreh se gjatë kohës së pandemisë në këtë komunë në përgjithësi është rrit solidaritet për t’iu dal në ndihmë familjeve në nevojë, duke përmendur poashtu aktivitet e rëndësishme që janë kryer nga “Bereqeti” në Kamenicë.

“Falënderojmë edhe për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur me Komunën e Kamenicës, kryetarin Qëndron Kastratin, njëherë edhe me Qendrën Sociale, z. Rifat Hajdari. Këto ndihma janë të mirëseardhura për këto 40 familje meqenëse ky vit jubilar ka qenë shumë i suksesshëm për ‘Bereqetin’ e në veçanti për degën tonë të Kamenicës, duke u ndërtuar shtëpi, duke u hap puse për bunarë, njëherë duke u ndihmuar edhe 600 familje me produkte ushqimore.

 Shoqata Humanitare “Bereqeti” së bashku me gjithë koordinatorët e saj që shtrihen në gjithë Kosovë, po bëjnë përpjekje që gjatë stinës së dimrit të iu dalin në ndihmë familjeve në nevojë me produkte të ndryshme që u nevojitën këtyre familjeve.